Ngjyrat e Jonida Shyti

Në jetë jo çdo gjë shkon sipas planit por nuk ka rëndësi, duhet thjesht të gjej një plan tjetër.” Jonida Shyti

Kjo vajzë, grua, mam çuni, bashkëshorte, shoqe, motër, kolege…është një super qenie që do adhuroni në çdo detaj. Nuk e di pse më kujton atë pikturën e famshme të Monet “Water Lilies” pasi mund  të rrijë më orë të tëra ta shikoj me detaje dhe nuk ngopem. Jona më kujton bukurinë, veçantinë, ëmbëlsinë, fëminilitetin dhe dritën shumëngjyrëshe të kësaj pikture po ashtu edhe shndërrimin në një nivel tjetër të artit të jetës.

“Unë jam brez I fëmijërisë poshtë pallatit, me çelësin e shtëpisë që e lidhnim te kanotiera. Është një fëmijëri e mbushur me lojëra reale dhe mbaj mend qe e kam shijuar shume dhe ndonjëherë më duket sikur bëj gabimin ta krahasoj me lumturinë e tim biri. Pastaj mundohem të mos bie në gabimin e nostalgjisë së brezave, sepse shpesh prindërojme veten gjatë rritjes së fëmijëve.”

Kush është Jonida Shyti

Jonida përfundon studimet e Mjekësisë në degën e Stomatologjisë në vitin 2008 dhe më vonë i dedikohet farmaceutikës për 12 vjet rresht. Ajo që bënte me aq shumë dashuri dhe profesionalizëm për vite me radhë dhe në role të ndryshme, do rezultojë vite më vonë të jetë thjesht një parapërgatitje për atë që Jona do themelojë.

Jona kujton më nostalgji vitet e fëmijërisë. Ka pasur gjithmonë një raport të veçantë më vëllaçkon e saj gati dy vjet më të vogël, pasi para prindërve trajtoheshin në mënyrë të barabartë. Cilësi kjo që me siguri hodhi bazat e një vajze me karakter të fortë dhe që lufton për të arritur atë që dëshiron në jetë.

Mendon se raporti shumë I hapur me të atin dhe më autoritar me të ëmën, mund  të ketë ndikuar që në  fëmijërinë e hershme për të krijuar modelin e burrave tolerant dhe mendje hapur si dhe të grave vendimmarrëse e të forta. – Adhuroj këtë këndvështrim dhe do doja që shumë vajza e gra ta bënin të tyre këtë mënyrë të menduari.  – Pikërisht ky raport i  hapur me të atin sikur të ishin dy miq të mirë që flisnin e konfrontoheshin për gjithçka, balanconte nga ana tjetër raportin pak më strikt me të ëmën duke pasur përgjegjësinë e zyshës jo vetëm jashtë shtëpisë, në punën e përditshme, por edhe në familje.

Duke pasur dy prindër model për të marrë shembull, kaq në harmoni si individ dhe në rolin përkatës si prindër, Jona do skalisë karakterin e saj ku çdo gjë do kalojë në disa faza e filtra që rezultati të  arrihet si rrjedhojë e atyre veprimeve të ndërmarra pas një analize të hollësishme. Ndaj shumë njerëz që e njohin e cilësojnë si kreative, por ajo preferon të mendoj për veten si një detajiste, këmbëngulëse, e organizuar në çdo detaj dhe gjithmonë në kërkim të dijes dhe versionit më të mirë.

Mund ta imagjinoj shpesh të ulur në tavolinë teksa bën me laps e letër pro-t dhe kundra për një ide që dëshiron të realizoj dhe në mënyrë racionale rreshton aspektet pozitive e negative duke e parë 360 gradë. Por Jona më surprizon  nga ana tjetër me një koncept themelor sa të thjeshtë në bazë po aq i vështirë në praktikë: “Një mësim qe jeta ma përplas shpesh fytyrës është qe përtej përpjekjeve dhe arritjeve, është e pamundur të jesh në pritshmërinë e të gjithëve, ndaj thjesht vetmjaftohu.”

Jona ka pasur fatin të takojë dhe të punoj më njerëz të bukur nga të cilët ka mësuar shumë ndaj dhe çdo vështirësi e shikon si një mësim, proces, e jo vështirësi për tu përmendur. “Ka pasur momente ku e kam gjetur veten duke vrapuar dhe munduar shumë, dhe më është dashur të reflektoj për të kuptuar që jo gjithmonë çdo gjë shkon sipas planit, por nuk ka problem, duhet thjesht të gjej një plan tjetër.” Ky është pikërisht niveli pozitiv që uroj çdo grua ta arrijë një ditë: Ka gjithmonë një mënyrë, një alternativë, plan, zgjidhje, rrugë, këndvështrim tjetër.

E rëndësishme për Jonën është të dijë në çdo kohë prioritetet dhe të ketë parasysh balancën e sensin e masës. “Përpiqem shumë të mos rrëmbehem nga momenti dhe vrulli I punës, por kam përshtypjen do jem në përpjekje të vazhdueshme.”

“Çdo vështirësi më duket thjesht proces dhe asnjë vështirësi më duket e tillë në kuptimin e mirëfilltë të fjalës.”

Si lindi EDEN LASER

Eden është produkt mikeshash të mira, shumë të ndryshme nga njëra-tjetra por komplementare.

Edukimi në fushën e mjekisë dhe pothuaj një dekadë e investuar në marketing mjekësor, bëri bashkë 2 elementë shumë të rëndësishëm që do i japin Jonës jo vetëm përgatitjen e duhur por edhe shtysën për të pasur sukses në biznesin e saj.

“Nuk kam qenë kurrë njeri letrash dhe I lidhur me materialen, ndaj kjo mangësi e imja në sipërmarrje plotësohet si puzzle nga Ergita. Është shumë bukur kur puna dhe jeta të sjell njerëz që së bashku bëjnë një të plotë.

Eden është kopshti I së bukurës, ku çdo investim teknologjik , medikal, njerëzor është në funksion të saj. Duhet vetëm pak të mendosh për të, për të kuptuar që e bukura është përtej të dukurit, ndaj slogani I Eden është “Për Veten”. Dhe Vetja është dukje, ndjesi, mendim.”

Cilat janë planet për të ardhmen?

Puna në një kompani të madhe multinacionale farmaceutike për shume vite, e ka bërë të kuptoj që përtej dhuntive dhe talentit, edukimi I vazhdueshëm, njohja dhe degëzimi I bizneseve dhe mbi te gjitha inovacioni janë shumë të rëndësishme, ndaj prej këtij viti do e gjeni në grupin e grave në biznes që ka bashkuar InnvestFund (për më tepër info mbi INNvest Fund, lexo “Një bashkëpunim SUKSESI ).

“Vlerësoj çdo sipërmarrje në funksion të kësaj, në funksion të mundësive të reja bashkëpunimi dhe për më tepër mendësive të reja.
Vlerësoj çdo sipërmarrje ku ka në krye vajza dhe gra.
Përtej vlerësimit, dhe projeksioneve në vazhdim, ti kupton që energjia e mirë vjen që në fjalë dhe pastaj ide. Këtë energji të mirë e kam marrë në doza të bollshme që tani.”

Çfarë e bën të lumtur Jonën?
“Doja shumë që përgjigja e kësaj pyetje të ishte – Nuk kam nevojë për arsye për të qenë e lumtur pasi lumturinë e shoh si mënyrë jetese, e pavarur nga rrethanat dhe njerëzit- 😊 do jetë një nga objektivat e së ardhmes, deri atëherë vazhdoj të jem e brishtë dhe e infektuar nga çdo energji pozitive përreth.”

Ju gjithashtu mund te lexoni

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *