Ngjyrat e Belinda Meçaj

“Fokusohu në atë që do. Asgjë nuk realizohet vetëm duke e menduar pafund. Duhet të veprojmë! Jeta është e vështirë e shpesh duam të fshihemi por për të jetuar një jetë më të mirë nuk duhet të fshihemi nga asgjë. Duhet të shfaqemi!” Belinda Meçaj

Na ishte një herë një vajzë e vogël që ëndërronte të pushtonte botën me ngjyrat e kreativitetit së saj. Imagjinonte të ecte në rrugët shumëngjyrëshe të Parisit, duke lundruar përgjatë Sienës, nën magjinë e arkitekturës së Champ Elysee, në maj të kullës Eiffel, duke vizituar djepin e artit në Louvre, duke prezantuar artin e saj në pasarelat e modës dhe duke I kënduar jetës në Notre Dame.

Belinda Meçaj, lindur dhe rritur ne Tiranë në një familje që e ka mbështetur në çdo hap dhe zgjedhje të saj. E rrethuar nga dashuria, si çdo fëmijë I vetëm, kujton me nostalgji vitet e fëmijërisë. Kujtimet më të bukura i lidh gjithmonë me prindërit që e kanë trajtuar si miken e tyre të vogël, ku baza e fortë e raportit ndër vitesh ka qenë komunikimi, respekti i ndërsjellët, mbështetja reciproke dhe dashuria pa kufij. “Prindërit e mi kanë qenë shembull për mua e më kanë mësuar që me ndershmëri e punë mund të arrish çdo gjë.”

Një tjetër person po kaq i rëndësishëm dhe që ka mbushur momentet e fëmijërisë plot ngjyra lumturie ka qenë gjyshi i saj i cili ka qenë piktor dhe duket se i ka trashëguar dashurinë për të bukurën. “Ushqimi i përditshëm për mua ka qenë e bukura e mishëruar në tablotë e tij. Mbaj mend që më lexonte e më fliste pa fund çdo herë që kaloja kohë në studion e tij. Më mbushte tavolinën me letra e lapsa me ngjyra e me ka dhënë liri maksimale. Gjyshi më ka  trajtuar si “shoqen e tij te vogël” e më ka mësuar se çelësi i suksesit është 90% punë e vetëm 10% talent.”

Bela do e bëj të veten këtë mësim të gjyshit dhe do luftoj për ëndrrën e saj edhe duke shkuar kundra dëshirës së prindërve e të largohet nga Shqipëria për të ndjekur studimet Universitare në Paris për  Stilizëm e Aksesorë. Eksperienca e Parisit do jetë sa e veçantë po aq edhe e vështirë. Mbështetja financiare e familjes nuk do mjaftoj në një qytet të tillë dhe Bela do duhet të punoj për të përballuar jetesën në Paris.

Ndërkohë që në Tiranë ishin gjithmonë ata të tre kundra botës, tani gjendej e vetme kundra të gjithëve në një qytet gati me 3 milion banorë dhe mijëra kilometra larg familjes që kishin qenë forca e saj më e madhe. Vështirësia e radhës do vij në fund të vitit të tretë ku Bela merr vesh se i ati diagnostikohet me një sëmundje terminale dhe Bela do rikthehet në Shqipëri për të përballuar bashkë ato vitet e luftës kundra sëmundjes.

“Nëse do kthehesha mbrapa nuk do ikja në Paris pasi s’do doja të kisha humbur asnjë moment të shtrenjtë me babain tim”- por jam e sigurt që i ati nuk do e mendonte kështu pasi nuk do ndryshonte asgjë po të shikonte vajzën e tij dhe çfarë ka rritur me aq punë e mund. Vitet e rikthimit në Shqipëri u pasuan me vështirësi nga më të ndryshme dhe plot emocione pasi luftuan bashkë të tre për te përballuar sëmundjen. Nga ana tjetër në asnjë moment nuk e trajtoi të atin si një të sëmurë terminal, por u mundua të krijonte sa më shumë kujtime të bukura dhe të kalonin ditët ashtu siç kishin bërë gjithmonë.

Bela ka një shpirt të bukur dhe një forcë për të marrë shembull pasi vitet që pasuan nuk ishin më të lehtë se ato në Paris, por dëshira për të përmbushur qëllimin e saj ishte mënyra për të respektuar edhe sakrificat që familja kishte bërë për të. Në asnjë moment nuk hoqi dorë nga ëndrra dhe pasoni i saj dhe vazhdoi 4 vite ne Universitetin e Arteve për Skenografi/ Kostumografi Stiliste e Krijuese aksesorësh.

Pasi përfundimit të studimeve do ketë eksperienca të ndryshme pune por gjithmonë do I mungojë diçka e rëndësishme: Liria në krijimtarinë e saj. Mendonte se një ditë do bënte diçka vetë por frika për të marrë iniciativën e shtynte gjithmonë atë ditë. Me insistimin e vazhdueshëm të bashkëshortit të saj, para dhjet vitesh do marrë vendimin të hapë studion e saj “Bela Belinda”.

“Veshjet dhe aksesorët janë tërësisht krijime të miat. Nuk kam pranuar asnjëherë të realizoj foto revistash ose foto instagrami. Kam dashur gjithmonë që njerëzit të më zgjedhin për atë që jam e për atë që krijoj. Në dhjetor të 2020 bëra 10 vjet e i jam mirënjohëse të gjithë klientëve besnik (tashme pjesën më të madhe i kam miq) që më zgjedhin sot e kësaj dite, që e duan dhe vlerësojnë punën time.”

Bela është një vajzë me këmbë në tokë, një nga ato personat që gëzon e feston realisht arritjet e të tjerëve pasi beson dhe respekton në aftësitë e virtytet e çdo njeriu. “Nuk ka rëndësi mënyra sesi arti merr formë. Mund të jete një pikture, skulpturë, vizatim apo dhe një aksesor si në rastin tim. Gjithmonë e kam parë artin si një mënyrë shumë të mirë komunikimi midis njeri-tjetrit e për të shprehur veten.”

Arti është “liria” dhe “paqja” ime.

Dita nis gjithmonë herët në mëngjes duke bërë gati djalin për në shkollë dhe më vonë kafja e mëngjesit vetëm, pasi siç thotë edhe Bela është momenti i vetëm që mund të kaloj me veten e saj. Më vonë nis punën në studion e saj për të realizuar gjithë porositë që ka marrë dhe deri në orën 15.30 do jetë e fokusuar të realizoj çdo porosi me detaje dhe dashuri. “Pasditen ia dedikoj gjithmonë djalit tim dhe më vonë familjes pasi për mua është gjëja më rëndësishme”.

“Me bën të lumtur çdo gjë dhe e shijoj jetën në maksimum. Eksperienca me tim atë më ka bërë të kuptoj që vetëm kur përjeton një trishtim të tillë do mund të kuptojmë se me sa gjëra të parëndësishme je marrë dhe ke humbur kohën.”

“Nuk është suksesi dhe mirëqenia ato që janë vendimtare por njerëzit në jetën tonë dhe lidhjet që ndërtojmë me ta. Lumturia nuk është destinacion, ajo është gjendje dhe ndjesi që krijohet duke u fokusuar në atë çfarë duam. Të jesh në paqe me veten është lumturia më e madhe për mua.”

Nëse do kthehej mbrapa në kohë do donte që këtë sipërmarrje ta kishte nisur më herët, para se të lindte djalin pasi në momentin që u bë nënë kuptoi se liria që e kishte eksperimentuar më përpara nuk ishte më e tillë dhe sigurisht që prioritetet ndryshuan. Bela ka shumë plane dhe ide për të ardhmen por dëshiron për momentin mos të flasë por ti prezantoj ato me të gjithë në momentin që do jete gati.

“Do doja që dita të kishte 72 ore se koha është e pamjaftueshme për mua ndërkohë që dëshira dhe energjia për të punuar nuk më mungon, madje çdo ditë shtohet. E konsideroj veten me fat që kam një punë që nuk e quaj dot punë. Për mua është kënaqësi, mezi pres madje të vij dita e hënë e të nis javën me energji e punime të reja.”

Ju gjithashtu mund te lexoni

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *