Ngjyrat e Rudina Caca

“Që të dëgjohesh duhet të flasësh, që të dukesh duhet të veprosh dhe të gjesh momentin e duhur nuk duhet të presësh por të kapësh momentin. Nuk ka rëndësi sa herë rrezohesh e përplasesh, rëndësi ka që të dish si të ngrihesh sërish në këmbë dhe të nisësh nga e para.” Rudina Caca

Rudina Caca, lindur dhe rritur në një qytet të vogël të Kosovës, Isogë, ka veç kujtime të bukura nga fëmijëria. Duke qenë mbesa e parë e familjes mban mend se ndihej e privilegjuara dhe më e llastuara. Kujton se familja i ka mundësuar çdo gjë të bukur që dëshironte në atë periudhë dhe duke u rritur në një familje të madhe ka dashur gjithmonë të ketë një familje të madhe të sajën një ditë.

Kujtimet më të bukura lidhen me gjyshen, nga e cila ka trashëguar edhe aftësitë e qëndisjes. Rudina kujton se ka adhuruar që në vegjëli punimet e dorës dhe i ka pëlqyer e bukura.

Fun fact: në një intervistë në Kohavizion Rudina tregon se kur ka qenë e vogël ka nisur qëndisjen prej gjyshes dhe sipas gojëdhënës punimi i parë që do realizohej mjaftueshëm i bukur duhej djegur që gjithë punimet e tjera në të ardhmen të dilnin “flakë”. Kur gjyshja e dogji punimin e parë të Rudinës ajo e dëshpëruar dhe mes lotësh kërkoi arsyen, por ende sot mendon se atë punim duhet ta kishte ruajtur.

Transferimi në Prishtinë do vije për arsye studimi pasi Rudina vendos të ndjekë fakultetin e drejtësisë dhe do kaloj në këtë qytet plot 8 vjet. Në 2013 zhvendoset në Tiranë për të krijuar familjen e saj të re dhe mbas dy vjetësh do përfundojë sërish në Prishtinë, këtë herë për të vazhduan punën e saj në Swarovski.

Eksperienca në këtë brand e ka ndihmuar të rritet dhe të mësoj shumë gjëra duke kaluar në role të ndryshme. Rudina ndihet me fat që ka pasur mundësinë të punojë në një ambient të tillë ku në krye ka pasur një tjetër grua të fortë dhe me vizion e cila e ka mbështetur Rudinën nga dita e parë.

Ndërkohë që Rudina ndjek karrierën e saj, bëhet nënë për herë të tretë dhe këtë herë shikon të arsyeshme të shkëputet nga puna pasi prioritet për të ka qenë dhe do mbetet gjithmonë familja. Ndaj edhe nëse do e pyesësh Rudinën për ditën e saj më të lumtur do të përgjigjet se janë pikërisht ditët kur kanë lindur fëmijët e saj.

“Mbaj mend që gjatë karantinës, kisha djalin e vogël 2 muajsh në gjoks, në kufje ndiqja webinare të ndryshme dhe ndërkohë 2 fëmijët e tjerë që kërkonin vëmendje vazhdimisht.” Rudina është nga ato gratë që kur buzëqeshin arrijnë të transmetojnë atë ndjenjën e ëmbël, të paqes dhe mirësisë.

“Ata që më njohin që në fëmijëri e dinë që unë kam qenë shumë e qetë, e ndjeshme, e turpshme dhe herë herë e tërhequr. Një gjë tjetër që mund të jetë “ndëshkuese” por në të njëjtën kohë më ka ndihmuar gjatë viteve është sinqeriteti dhe mirësia.”

“Për mua ka shumë rendësi mirëqenia e njerëzve. Çdo gjë më lidh me familjen, me fëmijërinë. Ne i ruajmë shumë marrëdhëniet, mbështetemi shumë te njëri tjetri dhe kam shumë modele në familje që kanë sakrifikuar shumë për të mirën e familjes. E thash mirëqenia sepse kam përshtypjen që është një nga gjërat elementare për jetesë qoftë ajo shpirtërore apo ekonomike. Unë mundohem të paktën  të dhuroj pozitivitet kudo dhe me këdo që flas, meqenëse këtë e kemi vetë në dorë.”

Si lindi Rudina Caca Accessories

Në 2013 motra e Rudinës i rrëfen se ka porositur një kurorë më gurë që t’ia realizojnë dhe Rudina i thotë se mund ta realizojë ajo. Punën e dorës nuk e kishte lënë kurrë dhe gjatë viteve që kishte studiuar apo punuar thjesht ishte limituar në realizimin e gjërave të vogla që i bënte dhuratë. Duke sfiduar veten dhe motrën në këtë rast që nuk kishte menduar për të, arrin të realizojë kurorën më rruaza dhe të gjithë mbeten të mahnitur.

Kështu fillon e ndizet sërish ajo flaka e pasionit që i vlonte në shpirt që në vegjëli. Nis të realizojë punimet e para me rruaza dhe materiale të ricikluara por duke mbetur gjithmonë anonime pas një faqeje që fillimisht mbante emrin “Rruaza handmade”. Po me të njëjtin emër hap edhe bloggun që më vonë do rezultojë se do kërkojë më shumë kohë se ajo që kishte në dispozicion Rudina dhe do detyrohet ta mbyllë, për t’iu përkushtuar vetëm punimeve handmade.

Fillon të realizojë produkte të ndryshme dekorativë e të riciklojë çdo material që ka mundësi. Do nisë një bashkëpunim me një mikun e saj, këtë herë nën emrin e faqes AR (art and crafts) dhe së bashku do realizojnë produkte të ndryshme. Për shkak të kohës së limituar dhe angazhimeve profesionale nga të dyja palët, bashkëpunimi nuk do vazhdojë gjatë dhe Rudina do i kthehet sërish realizimit kryesor të aksesorëve. Ndërkohë që vazhdon të eksperimentoj dhe të studioj rrugën më të mirë për të realizuar sipërmarrjen e saj, në 2019 pas shumë pune, studimesh e analizash vendos të fokusohet tek ajo që tani njihet me emrin e saj “Rudina Caca Handmade Accessories”.

“Unë mendoj që një nga vështirësitë më të mëdha sot është të tejkalosh probleme emocionale. Duke qenë shumë e sinqertë dhe pa komplekse kam pasur shumë vështirësi me përshtatjen dhe sigurisht keqkuptime pa fund. Sigurisht ca gjëra do ti mbash me vete gjithë jetën por unë vështirësitë më të mëdha i kisha derisa gjeta veten time.

Thonë që kur të gjesh veten ke gjetur jetën. Më është dashur shumë kohë që të kuptoj realisht çfarë dua të bëj dhe të arrij këtu ku jam sot. Më është dashur të vendos mënjanë çdo koment që më është dhënë nga të tjerët, që shpesh nuk kanë qenë për të më dhënë kurajo por komplet të kundërtën. Është shumë e vështirë por është gjëja më e mirë që mund të bësh për veten sepse vetëm atëherë mund të kesh vetëbesimin dhe guximin për të bere atë që vërtetë do.”

Projekti “Lulet e karantinës”,  frymëzuar nga gratë dhe vajzat në mediat shqiptare dhe Kosovare, ku Rudina realizon një set lulesh me emrat e secilës personazh televiziv duke u bazuar te impakti që ato kishin lënë te Rudina. Është munduar të identifikojë një karakteristik të tyre me ngjyrat dhe më besoni punimet janë shumë të këndshme dhe disa prej tyre shumë të goditura (materiali i  përdorur gjithmonë i ricikluar).

“Fillimi i dy projekteve të mia është fëmijëria dhe vlerat që më ka trashëguar familja, ku puna e dorës ka qenë kryefjala, pastaj të jetuarit në fshat të lidh shumë me tokën, natyrën  dhe me të jetuarit në mënyrë ekologjike. Projektin e çajit e kam pasur ne mend prej shumë vitesh por për arsye të ndryshme arrita ta realizoj vetëm vitet e fundit. Duke u lidhur me fabrikën e çajit që ndodhet në zonën ku kam lindur, arrita ta sjell në fillim në Shqipëri duke testuar edhe tregun. Tani falë rrjeteve sociale shikoj që do e bëj shumë shpejt realitet edhe këtë ëndërr: Të kem një dyqan fizik në Tiranë me cajra.

Sot jam ajo që dikur kam dashur të jem. Diku më kritikuan për konceptin tim të lumturisë dhe më thanë që lumturia është virtyt i personave të pandërgjegjshëm dhe naiv, karakteristikë e fëmijëve. E po nëse është kështu, dëshiroj të ngelem gjithmonë një fëmijë e mos të rritem kurrë vetëm që të ndiej lumturinë çdo ditë.

Lumturia për mua është që jetoj dhe kam mundësi të shijoj çdo ditë hapat, ulërimat dhe të qeshurat e fëmijëve të mi. Më lumturon shumë fakti që sot kam mundësi të bëj çfarë dua, të jem ajo që dua, të ngre zërin pa pasur frikë se çfarë mund të thonë dhe mendojnë të tjerët duke thënë mendimin tim të qartë deri në fund.  

Edhe Bukowski e paska thënë që “ Lumturia është ndjenja më e rrallë që gjendet tek njerëzit inteligjent”. Unë mendoj që çdo gjë varet nga perceptimi personal dhe nga ajo se si ne i kuptojmë gjërat që lexojmë apo shohim. Nga këndvështrimi im, inteligjent janë ata që dinë të jetojnë dhe shijojnë momentet e ditëve të tyre. Unë lumturohem me atë që kam dhe kam arritur.”

Ju gjithashtu mund te lexoni

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *