Ngjyrat e Silvana Musej

“Kjo është një botë burrash, por nuk do kishte vlere pa një grua e një vajzë” thotë James Brown në këngën e tij të famshme “ A man’s world”.

“Vendi i gruas është në kuzhinë”- sa herë e kemi dëgjuar këtë shprehje që shpesh ka ngritur me furi një tornado brenda nesh? Nga ana tjetër, edhe pse “vendi i një gruaje qënkërka në kuzhinë” shpesh në botën e kulinarisë gratë marrin bërryla dhe dalin jashtë skene pa një pa dy. Pra edhe brenda botës “që na takon” (se di kush e vendosi) sërish duket një botë e ashpër e mbizotëruar nga burrat.

“Ka ndryshime midis një burri dhe një gruaje”, thotë shefi i kuzhinës Teryi Youngblood Musolf, drejtor i kuzhinës për The Cook’s Station. “Por për sa i përket gatimit, nuk ka asnjë ndryshim në aftësinë për të bërë diçka që të shijojë më mirë se tjetri. Nuk është një sport ku përfshin peshat e rënda. Nuk kërkon fuqi shtesë truri që duhet të ketë një burrë apo grua për ta bërë një pjatë më mirë për njërën apo tjetrën palë. Prandaj, nuk arrij ta kuptoj pse nuk ka më shumë barazi kur bëhet fjalë për kulinari.”

Duke kërkuar për listën e 100 kuzhinierëve më të mirë në botë për vitin 2020, arrita të gjej vetëm 4 emra grash në këtë renditje:
26 Nadia Santini, Dal Pescatore (Italy)
34 Clare Smyth, Core (UK)
40 Dominique Crenn, Atelier Crenn (USA)
91 Anne-Sophie Pic, Maison Pic (France)

Imazhi i gruas ndër vitesh është portretizuar me reklamat e kuzhinës, elektroshtëpiakeve dhe çdo gjë që ka të bëjë me mirëmbajtjen e shtëpisë dhe rritjes së fëmijëve. Në 50 vjeçar-in e fundit mund të shikosh reklama seksiste duke ulur figurën e gruas e duke theksuar me tepër këtë idenë e “Gruaja e ka vendin në kuzhinë”.

Kush eshte Silvana Musej

Silvana Musej, lindur dhe rritur në Golem kalon vitet e saj të fëmijërisë dhe adoleshencës aty. Në 97’, në moshën 17 vjeçe, periudhë e cila do shënoj ndryshime rrënjësore në jetën  e saj, vendos të transferohet në Itali. Kujton me nostalgji ato vitet e fëmijërisë, të mbushura plot të qeshura dhe harmoni familjare. Kujton natën e vitit të ri ku gjithë familjarët mblidheshin në shtëpinë e saj dhe kujton si sot sytë e tyre të qeshur dhe të lumtur, kujtime këto që do e shoqërojnë gjithë jetën e saj dhe do bëj që jeta e re në Itali të jetë e mbushur me plot vështirësi dhe nostalgji familjare.

Puna e parë që gjen në Itali është pikërisht shitëse në një gastronomi në Cuneo (Piemonte). Sa herë që do ketë kohë të lirë, Silvana do e gjejë veten në kuzhinë duke ndihmuar ose përgatitur pjata të ndryshme. Pasioni i saj nuk do kaloj pa u vënë re nga përgjegjësit e saj  që vendosin kështu ti japin dorë të lirë në kuzhinë. Dashuria që vendoste në çdo pjatë dhe buzëqeshja që shoqëronte çdo klient do bëj që pas një viti kur biznesi të mbyllet, të marrë një propozim nga restoranti “Gambero Rosso”- i katërti në Itali në vitet 2000 për sa i përket stilit Slow Food.

Këtu do të nis pikërisht shkolla e “jetës” dhe investimi për tu bërë një ditë shefe profesionale. Silvana ndihet me fat pasi kudo ku ka punuar është ndier e respektuar dhe e vlerësuar. Kujton se oraret e gjata në kuzhinë dhe trysnia në raste të caktuara nuk e kanë bërë asnjëherë të dyshoj në zgjedhjen e saj, pasi në momentin që merrte komplimente dhe buzëqeshje nga pjatat e saj ndihej e rigjeneruar.

Silvana është një person i palodhur, me një shpirt pozitiv që shikon dhe mundohet të marr  vetëm anën pozitive, cilësi këto që me siguri e kanë ndihmuar të bëj para në këtë fushë që ka zgjedhur. Vështirësitë e para janë ndier në momentin kur u bë nënë pasi pati një lindje të vështirë që u shoqërua me pagjumësi gjatë natës e orare të zgjatura në kuzhinë, por kur kthen kokën pas janë veç një kujtim për të. Tani nënë e dy fëmijëve dhe me një profesion që adhuron, ndjen sikur nuk punon asnjë ditë.

Familja dhe fëmijët e saj janë gjëja më e rëndësishme për të ndaj pjatat që përgatit për ta janë gjithmonë të veçanta. Një kujtim fëmijërie e lidh më kuzhinën, pikërisht kur vëllai i saj e mori për herë të parë të zinin bretkosa dhe Silvana ndiente neveri vetëm nga ideja e tyre. Kur në darkë e ëma i kishte gatuar dhe ajo provoi mishin e bretkosës për herë të parë, mendoi se nuk kishte mish më të shijshëm dhe ende sot e kësaj dite ai kujtim ngacmon shqisat e saj të shijes.

Rutina tashmë prej disa vitesh është e njëjtë – zgjimi herët në mëngjes për të përgatitur mëngjesin familjes, pasi shoqëron në shkollë fëmijët duhet të jetë në kuzhinë në orën 8.30 për të organizuar drekën në restorant. Gjatë javës mbaron në orën 4 pasdite dhe kohën tjetër ia dedikon fëmijëve e bashkëshortit. Në fundjavë punon deri natën vonë dhe e vetmja kohë që ia dedikon vetes është momenti kur shkëputet nga kuzhina për të marrë fëmijët nga shkolla : “Me kufjet në vesh dhe muzikë latine që të karikoj bateritë dhe jam gati për sfidën e radhës”.

Koha e humbur nuk kthehet më mbrapa. Shumë herë mendoj se mund të kisha bërë më shumë. Po të kthehesha mbrapa do investoja më shumë në universitet dhe degën e kulinarisë pasi ushqimi dhe të qenurit Chef ka qenë gjithmonë një ëndërr në sirtar për mua. Vetes time më të vogël do ti thoja që nuk ke gjithë këtë kohë në dispozicion dhe çdo ditë ke mundësi të vendosësh nga një tullë për të ndërtuar murin shumëngjyrësh të jetës tënde”.

Në një konkurs që u zhvillua në 2020 në Itali, Silvana do renditet e dyta në një event ku morën pjesë emra të rëndësishëm të kuzhinës Italiane. Në një intervistë për targatocn.it Silvana do rrëfej se si nisi çdo gjë krejt rastësisht, duke aplikuar onlinë dhe duke prezantuar recetën “Venus Mesdhetar”.


“Përzgjedhja e recetës duhej patjetër të kishte si përbërës uthullën balsamike të Modena Leonardi IDp dhe duhej të përmbante perime të stinës. Pjata ime u vlerësua dhe u rendita në 12 më të mirët. Pas përzgjedhjes morëm pjesë në konkurs organizuar nga Federata e Kuzhinierëve Italiane (FIC) dhe unë u vlerësova me vendin e dytë. Duke pare nivelin e Chef-ve në atë konkurs dhe mënyrën se si ishin prezantuar (me një set thikash profesionale dhe të personalizuara) jam shumë e lumtur me vëndin e dytë pasi unë u prezantova pa ditur se çfarë me priste dhe vetëm kur mbërrita kuptova se çfarë kisha para.”

Projektet e së ardhmes janë gjithmonë në fushën e kuzhinës dhe tani në korrik do jetë pjesë e festivalit “Shëndeti dhe mirëqenia e gruas” e organizuar nga UNESCO. Silvana së bashku me kuzhinierë të tjerë do përgatisë dhe prezantojë pjata të shëndetshme si dhe gatime etnike duke edukuar pjesëmarrësit për një jetë të shëndetshme.

Silvana, që e vogël ëndërronte ti binte Violinës (nëse nuk do i ishte futur rrugës së kulinarisë) tani mahnit shqisat e atyre që shijojnë gatimin e saj dhe familjen për të cilët gatuan gjithmonë me dashuri. Një grua plot energji, që lufton fort për ëndrrat e saj, me shpirt të pastër dhe dëshirë të madhe për të bërë më të mirën e mundshme, nuk kishte si t’i mungonte historive të suskesit.

“Një recetë nuk ka shpirt. Ju si kuzhinier duhet t’i sillni shpirtin recetës.” – Thomas Keller

Ju gjithashtu mund te lexoni

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *