Ngjyrat e Evis Sinojmeri

“Profesioni është një byzylyk floriri në dorë dhe vajzat e gratë nuk duhet të ndalojnë kurrë së kërkuari suksesin në jetë.” Evis Sinojmeri

Na ishte njëherë një vajzë e vogël që kur luante me kukullat nuk krijonte fustane të reja për to por mundohej tu ndryshonte pamjen duke i ndryshuar rrënjësisht prerjen e flokëve. Vajza rritej me një gjyshe “stiliste” në atë kohë që çfarë i shikonte syri dhe imagjinata e realizonte në veshje për mbesën dhe fëmijët e tjerë të fisit. E ndërkohë që vajza rritej dhe eksperimentonte me prerjet e flokëve te kukullat, në moshën e adoleshencës kalon në prerjet e flokëve me njerëzit e afërm. Evis kujton se tezja e saj ka qenë e para që ka dalluar talentin e saj dhe e ka shtyrë gjithmonë ta ndjekë e ta zhvilloj më shumë këtë pasion.

Ndërkohë që e ëma ka qenë më kritikuese dhe kërkuese ndaj saj, Evisi kujton se shumë vonë i ka fituar zemrën si parukiere. Me të atin ka pasur një marrëdhënie shumë të veçantë dhe bashkëpunuese saqë i ati edhe kur gabonte nuk e konsideronte kurrë gabimin e saj por një rrjedhoje e disa shkaqeve të ndryshme të jetës që e sollën në atë përfundim. Vetëbesimin dhe ambicien në jetë e shikon të trashëguar nga i ati, që më vonë me kalimin e viteve është rritur falë eksperiencave të ndryshme profesionale.

Evis Sinojmeri, lindur dhe rritur në Tiranë në një familje që e ka “llastuar” dhe mbështetur në çdo hap të sajin, do zbuloj shumë herët pasionin e saj të jetës. Në moshën 19 vjeçare, për arsye personale, do transferohet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Aty do nisë shkollën profesionale për parukeri dhe makeup dhe do lërë një përshtypje mbresëlënëse tek grupi pedagogjik saqë i ofrohet një punë menjëherë pas përfundimit të studimeve. Evisi kishte nisur të priste flokët e kukullave pa një teknikë të veçantë dhe tani shquhej një profesioniste   në një nga sallonet më të njohura në New York,USA.

Mban mend se kur ranë kullat binjake në Amerikë, Evis që kishte pak muaj në kontinentin e ri, ndodhej në sallon duke punuar dhe shija që i la ajo periudhë preferon ta harrojë. Në Amerikë do i ofrohet të hapë një pikë tjetër të sallonit ku punonte duke u bërë bashkëpronare por Evisi nuk ishte si personat e tjerë që kërkonin Amerikën për të vendosur rrënjët. Duke qenë një vajzë e vetme dhe e sigurt në atë që donte, Amerikën e shikonte si një trampolinë për të arritur suksesin që ajo i kishte vendosur vetes dhe jo si destinacion përfundimtar.

“Suksesin nëse nuk e arrin në vendin e vet s’ke pse ta kërkosh në një vend të huaj. Dua të ndihem e vlerësuar nga njerëzit që për mua kanë rëndësi e jo nga çdo njeri.”

Ndaj kthehet në Tiranë dhe hap sallonin e saj. Nga këtu do vazhdojë të ndjekë çdo event që organizohej brenda e jashtë Shqipërisë për të qenë gjithmonë një hap me kohën dhe stilin që ndryshonte çdo vit në fushën e saj. “Unë dhe babi im kemi pasur një moto – Në jetë ji i  pari ose i fundit. – Nuk ka zgjedhje të ndërmjetme apo neutrale.”

Evisi karakterizohet nga një vendosmëri të pakrahasueshme (do jetë kjo karakteristikë e shenjës së saj, akrepit) dhe kur vendos një qellim nuk ka vështirësi  apo njeri që ta ndaloj së realizuari këtë gjë. Teksa flas me të dalloj shumë lehtë tiparet e një shpirti pozitiv, solar, energjike, e palodhshme dhe një “mam çunash” që të bën të kuptosh se sfidat i ha për mëngjes çdo dite të jetës së saj (këtu të gjitha mamatë që kanë djem do më kuptojnë për çfarë e kam fjalën).

Por Evis nuk më duket aspak person delikat që vihet në vështirësi dhe çdo bisedë me të kalon shumë lehtë. Herë herë biseda jonë ndërpritet nga telefonata të ndryshme që Evisi u jep zgjidhje shume shpejt dhe çfarë do lloj problemi të ketë personi nga ana tjetër e telefonit kjo grua shikon vetëm zgjidhje.

E vëmendshme në detaje dhe në kërkim gjithmonë të më së mirës e së bukurës- asaj bukurie fizike për shkak të profesionit – si dhe përmirësimit e vetëzhvillimit. Evisi më kujton që ka 29 vjet në këtë profesion por studimi i saj dhe kërkimi për metoda të reja dhe inovative prerjeje, stilim flokësh apo lyerjeje nuk resht kurrë dhe ajo studion gjithmonë teknika të reja.

Më kujton në disa aspekte veten (të dyja akrep), rebele, antikonformiste dhe gjithmonë të parët në vijën e sfidave të jetës. “Zotësi është ti bësh të gjitha dhe ti bësh saktë. Sukses për mua do të thotë të jesh e suksesshme në çdo aspekt të jetës- në rolin e gruas, mikes, bijës, bashkëshortes dhe nënës”. Vlen për të përmendur që suksesin e saj ia dedikon mbështetjes së vazhdueshme të bashkëshortit dhe nënës së saj që e kanë ndihmuar dhe toleruar mungesën e saj kur Evisi punon në orët e vona të darkës apo shpesh duhet të largohet për evente të ndryshme.

Evis ka nisur eksperiencën e saj të parë televizive në TVA para shumë vitesh si audiciene e jashtme dhe është kujdesur për imazhin e prezantuesve dhe ekipit të Oriflame. Eksperiencat e tjera përfshijnë Miss Europa 1996, Miss Shqipëria 2003 dhe 2004, sfilata dhe evente të ndryshme ndër vitesh. Së fundi ishte pjesë e rëndësishme e kurimit të vajzave në #Lovestory në KlanTV dhe eventit të karnavaleve të Korcës.

Ka patur një ëndërr në sirtar që ka qenë gjithmonë e lidhur me të bukurën dhe artin ndaj prej disa vitesh ajo pikturon dhe në sallonin e saj më tërheq vëmendjen pikërisht një pikturë e saj bardhë e zi. Ka nisur gjithçka si një formë e të shprehurit veten dhe falë bashkëshortit që e shtynte gjithmonë të pikturonte duke i blerë telajot dhe ngjyrat e nevojshme, Evis vendos të shprehë mënyrën se si ajo e shikon jetën dhe artin me pikturat e saj shumëngjyrëshe.

Në qershor 2021 merr titullin “Mjeshtër me Përvojë” dhe me këtë arrin të finalizojë një objektiv tjetër në jetë. Gjithashtu, prej dy vitesh jep mësim në Shkollën “New Generation” për parukeri të avancuar dhe së fundmi Evisi festoi edhe një finish tjetër duke nxjerrë nga kjo shkollë grupin e parë të studentëve që ndjekin hapat e saj me teknikat inovative në fushën e parukerisë.

“Më pëlqen të lë gjurmët e mija aty ku shkel, ku jam prezente. Duke nxjerrë studentë të mirë lë pas emrin tim. Mësimdhënia ishte një test që i vura detyrë vetes për të dalë jashtë zonës sime të komfortit dhe u përfundua me sukses.” Evis ka gjithmonë projekte të reja dhe dëshiron të ndajë një këshillë më vajzat dhe gratë që janë në të njëjtin profesion: “Mos u lodhni kurrë së studiuari dhe kërkuari më shumë, së ndjekuri trajnime të reja dhe metoda alternative e inovative. Mos nënvlerësoni asnjëherë një koleg në këtë profesion pasi çdo parukier ka diçka të veçantë që e bën të suksesshëm në punën e vet.”

“Për vajzat dhe gratë që duan të kenë sukses në jetë: Pavarësia financiare është një armë e fortë për lirinë e çdo vajze dhe gruaje. Duhet të arsimoheni ose të keni një profesion nëse doni të keni liri në çdo aspekt të jetës dhe mos të ndiheni të nënshtruara. Jemi femra e krijojmë jetë, nuk ka kurrsesi pse mos të kemi sukses në atë që dëshirojmë dhe vendosim të arrijmë në jetë.”

Ju gjithashtu mund te lexoni

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *