Ngjyrat e Helga Cacani

Helga Cacani_colorourlives

“Çdo gjë ndodh për një arsye”- kjo ka qenë një nga teoritë më të famshme të Aristotelit. Çdo gjë që ndodh sot ka si qellim që të të shndërroj në personin që ti do jesh/ që je.

Vajza e këtij artikulli e ka bërë të sajën këtë teori deri në atë pikë sa që gjithë jeta e saj vlen si një dëshmi që çdo gjë që ka ndodhur e ka një arsye dhe ajo e ka pranuar me kohë këtë gjë.

Helga Cacani, lindur në shtator të 95’ në Tiranë, ka pasur një pasion të hershëm që në fëmijëri për gjuhën frënge. E nisur fillimisht nga një pasion I së ëmës, por shumë vite më vonë do zbuloj se vendimi për të studiuar gjuhën frënge do rezultojë një ndër vendimet më të rëndësishme të jetës së saj. Pikërisht sepse çdo gjë ndodh për një arsye, Helga e pranon këtë fakt dhe do shikoni se si jeta e saj ka marrë gjithmonë rrugën e duhur për ta sjellë aty ku ajo është sot.

Raporti me familjen ka qenë i veçantë në shumë aspekte për Helgën, një fëmijë e vetme në një familje që e adhuron, por për shkak të impenjimeve profesionale detyrohen që t’ia besojnë rritjen dhe edukimin e Helgës stërgjyshes dhe tezes së mamasë së saj. Helga kujton se si shpesh këtë gjë nuk mund ta kuptonte kur ishte e vogël dhe ndodhte shumë herë që i ati vinte ta merrte gjatë javës dhe pasi atë e zinte gjumi, ajo zgjohej sërish në shtëpinë e stërgjyshes. Kishte mall për prindërit e saj dhe mezi priste fundjavën që ta kalonte me ata.

Shumë vite me vonë do kuptonte sakrificën e prindërve dhe gjithashtu fatin e madh që pati pranë dy njerëz të tjerë të mrekullueshëm që u kujdesën për atë deri në moshën 7 vjeçare. Kujtimet e fëmijërisë janë të shumta me gjyshen që e ndiqte nga pas me pjatën në dorë, ndërkohë që Helga luante me fëmijët e tjerë në lagje. Po ashtu herët e shumta që sfidonte stërgjyshen dhe bënte pikërisht të kundërtën e asaj që i thoshte.

Duke u rritur, loja e saj e preferuar ishe loja që bënin shpesh më të atin në fundjavë dhe e kishin pagëzuar ”Kemi humbur”. Loja konsistonte në zgjedhjen e një rruge në  Tiranë dhe Helga duhet të gjente shtëpinë duke u bazuar vetëm te intuita e saj.

Intuita e fortë e zhvilluar fillimisht nga kjo lojë kaq e thjeshtë në pikëpamje të parë po aq edhe nxitëse, por edhe iniciativa për të ndërmarrë gjithmonë rrugë të reja do bëjë që Helga mos të lëkundet kurrë para vendimeve të rëndësishme në jetë dhe të bëj atë që ajo gjykon gjithmonë të drejtë, pa u stepur nga rrugët e panjohura që do rezervonte jeta.  

Çdo gjë, absolutisht çdo gjë ndodh për një arsye dhe po te jemi të kujdesshëm ndaj eventeve të ndryshme në jetën tonë, do kuptoni se si jeta është si një puzzle, pjesëzat e së cilës formojnë tërësinë. “Ndaj çdo gjë që ndodh është kaq shume e rëndësishme për ta pranuar ne mënyrë qe ti të plotësosh jetën tënde. Kjo frazë më ka bërë të pranoj, të mirëkuptoj dhe të jem mirënjohëse ndaj gjithçka që me ndodh në jetë, e mirë apo e keqe qoftë, ajo ndodh sepse duhet të ndodh dhe është pjese e rrugëtimit tim për të më çuar në destinacionin që unë meritoj.”

Më godet shumë kjo shprehje, “Destinacioni që unë meritoj”. Kur flet me Helgën nuk vë re as edhe një grimcë arrogance por përkundrazi,  të bën të kuptosh që ka një shpirt përulës dhe unë e adhuroj akoma edhe më shumë ndërkohë që zbuloj më tepër për të dhe rrugëtimin e saj.

Si u njoh me botën e marketingut

Në moshën 13 vjeçare Helga zbulon një pasion të përbashkët me një mikeshë që njeh online  dhe të dyja nisin të studiojnë dhe të ndjekin çdo kurs që ka të bëjë më botën e marketingut dixhital dhe botës shumëngjyrëshe të teknologjisë. “Kalonim me orë të tëra duke eksperimentuar nëpër rrjete sociale dhe  programe të ndryshme kompjuterike. Ideja e ndjekjes së mësimeve mbi marketingun online lindi si shkëndija e atij pasioni të dikurshëm. Kështu para 5 vitesh filloj dhe rrugëtimi im mbi marketingun i cili që në momentin e parë u kthye në profesion.”

Gjatë kësaj periudhe Helga vendos të transferohet në Francë për të mësuar më shumë rreth botës së marketingut dhe duke qenë se gjuha Frënge kishte qenë gjithmonë një plus për të, tani kurse të ndryshme profesionale dhe të niveleve të ndryshme iu shtuan rrugëtimit të saj (kurse të cilat vazhdojnë në nivele të tjera edhe në ditët e sotme). “Por gjatë jetesës në Francë unë u prezantova gjithashtu dhe me ide të reja për t’ia bashkangjitur studimeve si dhe për të arritur objektivin që kisha vendosur, formimin e një biznesi të mirëfillti mbi marketingun online dhe rrjeteve sociale.”

Helga vendos të bëj një tjetër investim për  veten (një nga të shumtit në këtë rrugëtim) dhe vendos të nis studimin mbi lidërshipin (studim i vazhdueshëm dhe që vazhdon edhe në ditët e sotme) dhe që rezultojë të jetë i suksesshëm. Gjatë kësaj periudhë të ngarkuar, ndizet dëshira për të gjetur qetësinë shpirtërore dhe mendore ndaj nis paralelisht një tjetër rrugëtim (studim), atë të mirëqenies.

Kështu vendos të ndjekë një kurs joge dhe pasi përfundon 250 orë të certifikohet si trajnere joge dhe më vonë si trajnere joge prenatal (për nënat që janë në pritje të ëmbël). Në vitin 2017 hap agjencinë e saj të marketingut, emri i së cilës sot është ALTECO (Albanian Technologies Comunication) dhe operojnë kryesisht në tregun shqiptar dhe atë francez (gjithashtu jashtë Evropës). Përveç Marketingut, jep dhe mësime joge online në Shqipëri dhe Francë.

Në gjithë këtë rrugëtim Helga normalisht që përballet me vështirësi të ndryshme por ajo nuk dëshiron ti klasifikoj si vështirësi se sa më tepër mësime jete. “Në fakt gjatë gjithë jetës marrim mësime, që shumë të vegjël dhe pse nuk e kuptojmë por ato mbeten të gdhendura në inkoshiencën tonë, por mësimet më të rëndësishme i kam marre 6-7 vitet e fundit dhe nga një ndër to do doja të veçoja një këshillë e cila më ka ndihmuar të ndryshoj jetën dhe gjendjen time psikologjike në mënyrë rrënjësore : GJITHCKA NDODH PËR NJË ARSYE.”

Nuk u dorëzua edhe kur vështirësia më e madhe në punën e saj ishte (në fillimet e saj) të gjente klientë që ti jepte mundësinë të tregonte aftësitë e saj. Shpesh herë përballej me njerëz që kishin apo menaxhonin biznese të ndryshme të cilët tregoheshin jo vetëm skeptikë por edhe shumë mendjengushtë – herë herë mendjemëdhenj- duke vendosur në dyshime të mëdha nëse një ditë kjo vajzë e re do kishte mundësinë të shpaloste talentin e saj.

Por nga ana tjetër pati fatin edhe të takonte e të bashkëpunonte me disa vajza e gra që kishin një biznes duke u kthyer në frymëzim për Helgën e tani mendon se ashtu duhet të sillet edhe ajo para një të riu/reje që ka iniciativë dhe ëndrra.

“Duke marr parasysh që fillimet e mia I kam nisur me një klientel dhe të ardhura 0 (vetëm të ardhurat për të zhvilluar trajnimin tim të parë), sfiduese kanë qenë dhe ditët kur mund të qëndroja më shumë se 14 ose 15 orë para kompjuterit duke punuar, duke kontaktuar me njerëz të ndryshëm, duke ju krijuar plane marketingu, duke bërë konsulta, fushata reklamimi, designe etj, (shpesh herë dhe falas vetëm për të krijuar klientë për të ardhmen) dhe e gjithë kjo jo vetëm thjesht sepse doja të fitoja të ardhura por sepse e dashuroja dhe e kisha pasion këtë  gjë dhe diçka e tillë mund të bëhet vetëm me shumë pasion. Me kohën kuptova se çdo gjë shpërblehet 100 fish një ditë.”

Një nga eventet që i ka ndryshuar komplet jetën Helgës është njohja e partnerit në Francë, një person me energji pozitive të pashtershme, që është jo vetëm mbështetësi i saj më i madh por edhe motivuesi kryesor që Helga të realizoj ëndrrat e saj. Helgën e karakterizon një qetësi vrastare dhe një durim i çmendur, intuitë e zhvilluar akoma edhe më shumë falë jogës dhe meditimit. “Kam aftësi  tmerrësisht të mprehta për të mësuar gjëra të reja dhe jam gjithmonë e gatshme për të hapur horizontin tim. Nëse do më ofrohej diçka e re për të mësuar do fokusohesha ashtu siç fokusohet një luaneshë gjatë gjuetisë së një gazele.”

Helga ka vendosur një rutinë të shëndetshme, sidomos tani që është bërë nënë e një djali. Zgjimi gjithmonë nis në orën 5 të mëngjesit dhe pasi përfundon jogën dhe meditimin, përgatiti mëngjesin për gjithë familjen. Pandemia e dy viteve të fundit e ka lidhur me tepër më natyrën duke e bërë një rutinë të përditshme me partnerin e saj dhe djalin Glaus. Së fundi, transferimi në një fshat turistik të Kanës, e ka rritur dëshirën e një shëtitje çdo mëngjes para se të nisë punën nga shtëpia.

“Pas shëtitjes e kanë radhën bisedat me klientët, përgatitjet e planeve të marketingut, përkujdesja për integrimin tim, përgatitja për trajnimet të cilat i filloj në tetor (në çdo periudhë kam diçka të re për tu marrë në blogun tim), si dhe muajt e fundit jam dukë marrë pjesë në një trajnim online mbi post natal joga. Për fat të mirë djalin kam arritur ta menaxhoj mirë fal ndihmës së mikes dhe trajneres sonë të gjumit Artemisës nga Bota e Gruas, kështu që ai është mjaft I qetë duke më lenë kohë të lirë që unë të punoj dhe të jem e angazhuar dhe e përqendruar në punë.”

Si nisi projekti i HealthyByHelga

“Projekti për Healthy by Helga nisi në 8 qershor të vitit 2019 dhe pikërisht atë ditë u vu edhe në zbatim. Unë kam të fiksuar në kokën time idenë që nëse nuk aktivizohem menjëherë për të bërë diçka që dua, atëherë do jetë shumë vonë për ta bërë.  Përpara se të bëj diçka, gjithmonë më pëlqen ta diskutoj me partnerin tim, sepse gjatë diskutimit dhe idetë më bëhen më të qarta dhe ndërkohë që I tregoja idenë, ndieja që ekzaltohesha dhe sapo mbarova së shpjeguari mora telefonin dhe hapa faqen e Healthy by Helga, krijova Logon e parë, postet e para dhe voila, këtu nisi rrugëtimi dhe pak nga pak fillova të shpalos të gjithë idetë që kisha diskutuar.

Përpara se të hapja faqen, kisha disa kohë që ndiqja trajnime online mbi mirëqenien fizike, shpirtërore dhe psikologjike, trajnime mbi biznesin, trajnime nga life coach etj dhe kështu vendosa ti sillja të gjitha së bashku në Healthy by Helga.  Pas certifikimit për trajnere joge vendosa që këto klasa ti sillja online dhe për vajzat në Shqipëri. Së fundi, në bashkëpunim me kompaninë time Alteco, në Shqipëri vendosa të filloj dhe trajnimet për Online Working për të gjitha vajzat e faqes që do dëshirojnë të jenë të pavarura financiarisht dhe fizikisht ashtu si unë.

Dëshira më e madhe e këtij projekti është transmetimi i vlerave dhe ideve të cilat dikujt mund ti futen në punë. Në mendjen time është e fiksuar qartazi që dikush mund të ketë sukses vetëm nëse bën dhe të tjerët pjesë të suksesit të tij, nëse ofron gjëra të vërteta, gjëra me vlerë dhe përpiqet të ngrejë lart dhe të tjerët po ashtu si veten e tij.”

Planet e së ardhmes dhe këshillat

Planet për të ardhmen janë ambicioze dhe Helga dëshiron të hapë një akademi marketingu dhe shitje në Shqipëri. Nisur kjo nga një nevojë vetjake  për të rekrutuar agjent marketingu dhe shitje për kompaninë e saj Alteco, vuri re një mungesë formimi të duhur për personat që aplikonin edhe pse kishin eksperiencë të gjerë në kompani të mëdha në Shqipëri, por nuk kishin njohuritë që Helga kishte përfituar nga eksperienca e saj në Francë. Duke e njohur sadopak këtë vajzë, jam e sigurt që nuk do jetë i largët momenti që do e realizoj këtë projekt.

“Këshillat që do jepja çdo kujt është pikërisht ajo që kam edhe si moto vetjake “Gjithçka ndodh për një arsye” dhe duhet ta pranoni ashtu si vjen. Çdo gjë që keni thënë, bërë, menduar, ndodhur, kanë sjell si rezultat personin që jeni tani dhe jetën që keni tani (ose do keni në të ardhmen). Sepse universi është me ty dhe do të të jap gjithçka që ti meriton nëse e do veten dhe nëse je mirënjohëse për gjithçka që serviret në rrugën tënde. Rruga nuk do jete e lehtë aspak, por ama do jetë gjithçka që ti meriton të kesh dhe do duash të kesh.”

Ju gjithashtu mund te lexoni

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *