Ngjyrat e Shkurte Ramushi

“Mos u shqetëso shumë dhe tregohu e matur. Shumë gjëra arrihen dhe realizohen vetëm po të kemi më shumë njohuri dhe durim. Koha, puna dhe forca e njohurive e formojnë njeriun.” Shkurte Ramushi

Një pikturë më tërhoqi vëmendjen në instagram para disa muajsh dhe më magjepsi aq shumë sa që e kërkoja çdo ditë dhe e shikoja me endje duke humbur sensin e kohës. Nuk e njihja autoren, nuk e njihja artin e saj dhe nuk e dija çfarë dëshironte të përcillte me këtë pikturë që ma kishte rrëmbyer vëmendjen dhe herë e interpretoja në një mënyrë e herë komplet ndryshe.

Kishte ditë që piktura mi ngulte sytë dhe mundohej të më shprehte gjithë dhimbjen që mbarte, ashpërsinë e jetës që i kishte bërë ballë, lodhjen dhe forcën e madhe të gruas luftëtare e  nuk dorëzohet. Kishte ditë që më dukej delikate, e thyeshme, e brishtë dhe mes dënesë e ngashërim më lante kujtimet. Pastaj kishte ditë që më dukej në paqe, kishte pranuar fatin e saj dhe me naivitetin e një fëmijë jetonte në një botë paralele e nuk e prekte bota jashtë.

Nisa të ndjek më shumë punën e saj dhe zbulova se çfarë gruaje është Shkurte Ramushi. Lindur në Verbanë (komunë e Vitisë), Kosovë, në 1992, në një familje që siç dëshiron ta quaj edhe ajo “gjysmë tradicionale e gjysmë moderne”. Duke jetuar në fshat dhe në një familje të madhe, 3 breza të ndryshëm mundohen të bashkëjetojnë në harmoni.

Shkurte do shkëputet për një periudhë shkurtër nga Kosova për të jetuar në Gjenevë, Zvicër. Kujtimet e bukura të fëmijërisë lidhen pikërisht me këtë periudhë. Në këtë oazë paqeje do zbulojë se kreativiteti i saj, sado i mirëfilltë në këtë fazë jete, mund të jetë një thirrje për të nisur çdo ditë ndryshe e për të jetuar ndryshe. Stili i jetesës dhe arkitektura e Gjenevës do zgjoj imagjinatën që nuk njeh kufij në artin e Shkurtes disa vite me vonë.

Eksperienca e bukur dhe e shkurtër në Zvicër përfundon shpejt dhe Shkurte duhet të kthehet me familjen ne Kosovë, në fshatin ku u rrit. Studimet e shkollës së mesme i kryen në qytetin e Vitisë dhe më vonë do përfundoj bachelor dhe Master në degën e pikturës ne Universitetin e Prishtinës. Bota e Shkurtes nis të ndryshojë që në momentin e parë që mëson të lexojë dhe fillon të përpijë cdo libër që i bie në dorë.

“Magjia që më jepte leximi shkonte përtej çdo gjëje që kisha arritur deri në të moment të përjetoja”- thotë Shkurte dhe unë nuk mund të mos e imagjinoj vajzën sy shkruar të humbur mes realitetesh të ndryshme të atyre librave që mbanë në dorë dhe i lejon ti hapin dyert e dëshirës për dije e njohuri.

Shkurte kujton me nostalgji periudhën e festave të fund vitit ku i ati i mbushte ditët e ftohta të dimrit me dritat shumëngjyrëshe e të imta që i falnin një ngrohtësi jo vetëm shtëpisë por edhe zemrës së Shkurtes. Të shpeshta ishin herët që i ati e komplimentonte dhe e shtynte të bënte më shumë vizatime me laps. Shkurte pasqyronte në ato vizatime dëshirën e të pasurit një shtëpi të madhe me plot ngjyra dhe shumë njerëz dhe i ati nuk humbiste rastin të ngjiste në mure çdo vizatim.

Teksa rritet, Shkurte i ka shumë të qarta idetë për jetën dhe atë se çfarë dëshiron të bëj. “Me profesion jam piktore, duke provuar çdo ditë të jem një krijuese më e mirë dhe duke tentuar të kontribuoj në shoqërinë tonë. Frymëzimi im kryesor është natyra, shoqëria dhe vetë shpirti njerëzor. Gjatë periudhës së karantinës dhe izolimit të njerizimit, ju kam kthyer kërkimit të lirisë dhe krijimit artistik. Ndoshta sepse Karantina përsëri na ka kujtuar ekzistencën dhe humanizmin. Jam aktive në fushën e arteve dhe kërkimeve artistike. Provoj gjithmonë të gjej një formë të kontribuoj në kauza për mbrojtjen e të drejtave të  femrave, natyrës dhe ambientit.”

Teknika e saj e preferuar është vaji dhe në muajin shkurt të vitit 2021 përzgjidhet ndër 10 artistet e rinj të për tu njohur në galerinë e arteve Noname në Londër, Angli. Ekspozitat e ndryshme që ka realizuar gjatë këtyre viteve si dhe çmimet që ka marrë janë të shumtë, por unë do përmend vetëm disa prej tyre:

Ka punuar si kuratore, fotografe dhe koordinatore në Galerinë “Unique Art Gallery”, si mësuese arti në Institucionin arsimor ’’Qendra kreative’’ dhe ‘’ LET Center’’. Ka qenë e angazhuar në Universitetin Publik “Kadri Zeka”, në Fakultetin e Edukimit vitet akademike 2017-2021 gjithashtu ka qenë e angazhuar në Fakultetin e Arteve në Universitetin i Prishtinës.

Gjatë viteve të fundit artistja ka hapur shtatë ekspozita personale në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoni. Ka qenë pjesë e disa galerive ballkanike, evropiane, aziatike dhe amerikane. Gjatë vitit 2020 dhe 2021 punimet e saj janë publikuar në: ARTSY (platformën më të madhe të artit), Kulttuur Vinkki (Finlandë),  Your art buttler (Angli), Art job (USA),  Artnowbox (Itali), Teelent (Itali), Artbox project (Zvicer), Dark yellow dot (Angli), Jesse New York (USA), FLEETIN CRAFTS (USA), Rrefime nga izolimi-Kosova ime (Kosovë), Your design juice (Malajzi), AIR GALLERY (Angli), ART Magazine Albania (Shqipëri) etj etj.

Përveç suksesit si artiste, për mua Shkurte është një grua e suksesshme pasi ka arritur çdo gjë që dëshiron në jetë duke mos humbur asnjë çast atë shpirtin human që e karakterizon. E guximshme, këmbëngulëse, më dashurinë dhe pasionin për të kërkuar gjithmonë atë që e plotëson çdo ditë dhe i jep forcë për të krijuar më shumë mundësi për veten dhe shoqërinë.

E bën të lumtur dashuria për jetën, familjen dhe profesionin. “Nga mëngjesi deri në darkë jam nene, grua, artiste e kolege, mësuese.” Dita e saj nis shumë herët në mëngjes me punët e një amvise,  nënë e një vajze, bashkëshorte, artiste e kolege. “Arti definitivisht është vetë jeta për mua. Më përcjell çdo moment të jetës sime, më identifikon dhe më bën Shkurte më të mirë.”

Ju gjithashtu mund te lexoni

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *